7 LËVIZJET E ARTIT MODERN QË DUHET TË NJIHNI


Nga REVISTA ARTSPER

Picasso, Matisse, Kandinsky, Malevitch, Delaunay dhe gjithë të tjerët, ishin pararoja lulëzuese që u nda në shumë rryma artistike gjatë gjysmës së parë të shekullit. Më pas, këto eksperimente u shumëfishuan nga piktorët të cilët kërkonin gjithmonë që të shkonin përtej të panjohurës. 


KUBIZMI

E shfaqur në vitin 1907, Kubizmi ishte lëvizja e parë e cila nuk përbënte një imitim të thjeshtë të realitetit. Artistët kubist u frymëzuan nga format e artit primitiv, të cilat u rigjallëruan gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, të gjitha format e volumit, u dekompozuan dhe rigrumbulluan. Georges Braque, Pablo Picasso dhe Fernand Léger ishin disa nga përfaqësuesit kryesor.

 

FUTURIZMI

E lindur në Itali, në vitin 1909, Futurizmi u mbështet tek format dhe të menduarin kubist. Futurizmi preku letërsinë, pikturën dhe skulpturën. Të magjepsur nga lëvizja, shoqëria dhe makineritë moderne, futuristë të tillë si Boccioni, Russolo dhe Marinetti, u përpoqën që t’i dekompozonin ato dhe t’i përfaqësonin në kanavacat e tyre.  


ABSTRAGIMET GJEOMETRIKE

Abstraksioni, një revolucion i vërtetë i artit modern të shekullit të 20-të, lindi rreth vitit 1910, me penelatat e Piet Mondrian, Vassily Kandinsky adhe të Kasimir Malevitch. Veprat e para abstrakte u mbështetën tek besimet shpirtërore dhe përdorën muzikën si motivin e tyre kryesor, dy subjekte të cilat mund të përfaqësoheshin përmes abstraksionit. Gjatë shprehjes së tyre, artistët kërkonin pastërtinë dhe thjeshtësinë nëpërmjet përdorimit të formave gjeometrike.

 

EKSPRESIONIZMI

Kjo lëvizje, pararendësi i së cilës ishte Edvard Munch, u shfaq në fillim të shekullit të 20-të në Gjermani dhe në vendet e lindjes, ku ata kundërshtuan akademizmin. Deri në fundin e Luftës së Parë Boterore, pjesët ekspersioniste përfaqësonin një vizion pesimist dhe të errët të botës. Deformimi u përdor sipas dëshirës, për të rikthyer ndjenjën e brendshme mbi realitetin figurativ. Kjo lëvizje u nda në dy grupe: Die Brucke (Ura) dhe Der Blaue Reiter (Kalorësit Blu), kjo e fundit na çon tek asbtraksioni.


ORFIZMI     

Ishte Guillaume Apollinaire, i cili në vitin 1912, cilësoi disa aspekte të pikturës avantgarde si orfizmi. Ai u frymëzua nga emri i ekspozitës ku u ekspozuan veprat e para të lëvizjes: Përzgjedhja e Artë (la section d’or). Orfizmi ka të bëjë me thjeshtësimin e formave, ku mbeten të dukshme vetëm ngjyrat dhe drita. Kësht, qëllimi i Orfizmit ishte krijimi i një ndjesie lëvizjeje mbi kanavacë. Robert dhe Sonia Delaunay ishin përfaqësuesit e kësaj lëvizje mes të tjerëve.                            

 

SURREALIZMI

Në vitin 1924, në manifestin e tij, Andre Breton e përkufizonte surrealizmin si vijon: “Automatizim i pastër psikik, nëpërmjet të cilave kërkohet shprehja, qoftë verbale, me shkrim, apo në çdo mënyrë tjetër, e funksionit të vërtetë të mendjes. E diktuar nga e pavetëdijshmja, në mungesë të çdo kontrolli të ushtruar nga arsyeja, dhe e lirë nga persekutimet estetike apo morale...” Kjo lëvizje artisitike zhduku kufijtë ndërmjet realitetit dhe jorealitetit. Ëndrrat u kthyen në burimin kryesor të frymëzimit, dhe artistë të tillë si Dali, Magritte, Ernst dhe Picabia propozuan konceptimin e tyre për botën, e cila më pas shformohet sipas dëshirave të çdo shikuesi. Ky ishte fundi i mbretërimit të arsyes në art.


EKSPRESIONIZMI ABSTRAKT

E konsideruar si lëvizja e parë artistike në Shtetet e Bashkuara, ekspresionizmi abstrakt ekzaminon xhestet dhe ngjyrën. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo u nda në dy fusha: piktura në veprim dhe piktura me fushat me ngjyra. Në të parën, artistët punuan me xhestet e tyre dhe mënyrën e aplikimit të bojës, ndërkohë që, ata po përdornin, teknikën e pikimit të bojës. Marrëdhënia ndërmjet trupit të artistit dhe kanavacës së tij bëhet e thellë, siç është provuar nga përqasja e Jackson Pollock. Në të dytën, artisti ekzaminon planet e kanavacës së tij dhe dëshirën për të hequr çdo efekt thellësie. Emri i fushave të ngjyrosura vjen nga fushat e sheshta të mëdha me ngjyra që i karakterizojnë ato, të cilat mund të gjenden, për shembull, tek veprat e Mark Rothko.  

 

(Imazhi 1: Pablo Picasso, “Zonjëzat e Reja të Avignon-it”, 1906-1907)

 

(Imazhi 2: Luigi Russolo, “Revolta”, 1911)

 

(Imazhi 3: Vassily Kandinsky, “Disa rrathë”, 1926)

 

(Imazhi 4: Edvard Munch, “Britma”, 1893)

 

(Imazhi 5: Robert Delaunay, “Gëzimi i Jetës”, 1930)

 

(Imazhi 6: Salvador Dali, “Këmbëngulja e Kujtesës”, 1931)

 

(Imazhi 7: Jackson Pollock, Nr. 5, 1948)









Burimi: https://blog.artsper.com/en/a-closer-look/artistic-movements-modern-art-know/

Përzgjodhi dhe përktheu – Enkeleda Suti.


Comments