ÇFARË DO TË THOTË TË KËRCESH ‘LIQENIN E MJELMAVE’

Mjelma e mirë, mjelma e keqe

 

Nga Tamara Rojo, Balerinë spanjolle

Drejtuese artisitike e Baletit Kombëtar Anglez

Burimi: Dokumentar i BBC Four, 2014

 

Kërcimi i ‘Liqenit të Mjelmave’ është ëndërra e çdo balerine të parë. Ai është baleti i parë që ne përfytyrojmë veten duke e interpretuar. Edhe për mua ai ishte një nga baletet e para që fillova ta njihja dhe ta mësoja dhe solo që unë zgjodha për veten time ishte që të interpretoja mjelmën e zezë. Që në fillim e kam ditur se, një ditë, unë do të interpretoja Liqenin e Mjelmave në një skenë të madhe, diku në botë.

 

Më kujtohet koha kur isha studente dhe shikoja mjelmat në ujë dhe i vëzhgoja ato për orë të tëra në përpjekje për të kuptuar se si lëviz një mjelmë që të mund ta përfshija në kërcimin tim. Por vite më vonë, kuptova se, ky balet nuk ishte për mjelmat, por për dy ideale. Ideali i mjelmës së bardhë që përfaqëson – pafajësinë, pastërtinë dhe ndërshmërinë, dhe për mjelmën e zezë që përfaqëson – manipulimin, pandershmërinë dhe eroticizmin.  

 

Nuk është aspak rastësore që, kur njerëzit mendojnë për baletin mendimi i tyre i parë është Liqeni i Mjelmave. Ajo është vepra që përcakton vet zhanrin e baletit. Megjithatë, është e jashtëzakonshme të mendosh që, asgjë lidhur me këtë balet nuk është e përcaktuar. Notat origjinale të shkruara nga vet Tchaikovsky kanë humbur dhe askush nuk e di se kush e shkroi këtë histori, madje edhe koreografia është kaluar nga brezi në brez gojarisht. Megjithatë, tematikat që përmban Liqeni i Mjelmave janë të përjetshme: dëshirim i zjarrtë i papërmbushur, mashtrim, dashuri tragjike. Edhe sot ato na flasin po aq gjallërisht sa më parë. Për më tepër, roli kryesor është unik në të gjithë zhanrin e baletit klasik.  

 

Ky rol kryesor kërkon nga balerina e parë që të portretizojë në interpretimin e saj dy karaktere të ndryshme, të dyja në pole të kundërta me njëra-tjetrën: Odette – mjelma e bardhë dhe Odile – mjelma e zezë.

 

Por si reflektohet kjo tek koreografia?

 

Odette, mjelma e bardhë dhe Odile, mjelma e zezë që të dyja bëjën të njëjtat hapa. Ne bëjmë pirueta, arabeska, por mënyra se si i bëjmë ato dhe intensiteti i tyre është tërësisht i ndryshëm. Ashtu si, në letërsi fjalët janë të njëjta, Romeo dhe Makbethi që të dy thonë dashuri, por ajo që ata nënkuptojnë, qëllimi i tyre është tërëssht i ndryshëm. Roli kërkon një rezistencë fizike ekstreme dhe një teknikë baleti të përsosur.  

 

Kur ke dikë që i kupton emocionalisht karakteret e dyfishta, si edhe aftësinë fizike për ta interpretuar dhe përballuar atë, është e mrekullueshme, por fenomenalisht e rrallë.

 

Do t’ju marr prapa skene që t’ju tregoj jetën time si interpretuese dhe se çfarë kërkohet me të vërtetë për t’u përgatitur për këtë rol kaq emocionues. Tradita se si kalohen, mësohen dhe evulojnë hapat dhe se si lexohen ato, si edhe eksplorimin e histoirsë së Liqenit të Mjelmave, që nga fillesat e saj të mundimshme deri tek kthimi i saj në një thesar të pavdekshëm klasik.  

 

Çasti që më pëlqen më shumë gjatë këtij procesi është ky çast (ndërkohë që është duke bërë tualetin për pjesën – 4:10). Më duket sikur i kam fshirë këndet, linjat e mia dhe kam fshirë nga pak edhe fytyrën time dhe vetullat e mia kaq të theksuara që më nxjerrin kaq të fortë dhe përcaktuese. Pra kam fshirë pak a shumë nga çdo gjë që ështv imja. Tani fytyra ime është si një kanavacë bosh, ku mund të fillosh të aplikosh këtë fytyrën e një personi tjetër dhe më pas, do të shikojmë se çfarë do të dalë prej saj.

 

Tërheqja ndaj Liqenit të Mjelmave është shumë gjëra. E para, sigurisht që është muzika. Muzika është shumë e bukur dhe kjo është një muzikë që ne balerinat e mësojmë shumë herët gjatë karrierës sonë dhe gjithashtu ti mund të ndjehesh edhe e lirë brenda saj. Dhe unë mendoj se, kjo ëahtë arsyeja përse ajo ka mbijetuar për një kohë kaq të gjatë, sepse mund të absorbosh të gjithë spektrin e lëvizjeve të reja që balerinët kanë fituar gjatë shekullit të shkuar dhe ajo të lë hapësirë që çdo balerinë ta bëjnë atë të vetën.

 

Legjenda na thotë se, ishte gjatë një pushimi veror me familjen në Ukrainë, ku Tchaikovsky shkroi një balet të vockël të titulluar ‘Liqeni i Mjelmave’ për t’u interpretuar nga fëmijët. Sipas nipit të tij të ri, Yuri Davidoff, tema kryesore ishte kënga e mjelmave, që tani është e njour për ne të gjithë si një nga meloditë më të dashura të muzikës klasike. Tchaikovsky njihte me të vërtetë çdo instrument të orkestrës nga brenda-jashtë dhe gjithashtu ai njihte edhe notat më të mira të të gjithë instrumenteve.

 

Unë nuk shfaqen në balet deri sa të ketë ardhur akti i 2-të, por unë sigurohem që të gjendem gjithmonë tek krahët e skenës, në mënyrë që, të dëgjoj prologun e Tchaikovskyt. Që në notat e para, muzika krijon një atmosferë melankolie dhe dëshirimi të zjarrtë. Muzika është ajo që më transporton mu në zemrën e kësaj bote mitike.

 

Që në fëmijërinë tonë ne jemi të njohur me histori kështjellash me princër dhe princesha, por në shekullin e XIX-të, përrallat kishin një ndikim më të madh edhe tek të rriturit. Shoqëritë joformale evropiane, shfaqin një lloj etikete e cila mbetet e një rëndësie parësore. Gjithashtu ata mësuan edhe oreksin për diçka tjetër: besimin në një botë mbinatyrore paralale, ku dominonin dëshirimi i zjarrtë dhe realitet më të errta. Përrala e Liqenit të Mjelmave na zhyt tërësisht në të dyja këto botë.  

 

Gjatë një vizite në Ervopën Perëndimore, Tchaikovsky i ri bëri një vizitë me anije përgjatë lumit Rhine. Ai pa përgjatë brigjeve të tij, kështjella dhe vendet magjike, të cilat kanë pasur përshtypjen e tyre ndaj mendjes së tij të uritur. Dhe është pikërisht vendosja përrallore, në një kështjellë madhështore në Gjermaninë mesjetare, skena që hap Liqenin e Mjelmave. Oborrtarët po festojnë maturimin e princit Siegfried. Çdo gjë që po ndodh duket se është për të. Por ai ndjehet i mbytur nga formaliteti i jetës së oborrit dhe është i dëshiruar për diçka më natyrale.

 

Për mua edhe ai është një shpirt tjetër i humbur. Një burrë në kërkim të gjetjes së identitetit të tij. Ai ka jetuar një jetë të mbrojtur dhe atij i është kërkuar nga e ëma të gjejë një nuse dhe të sistemohet, të rritet, pra të piqet dhe të bëhet mbret. Kërkimi për princeshën është ajo që udhëheq të gjithë Liqenin e Mjelmave, dhe është edhe një pasqyrim i dëshirave të shtypura, që ka qenë një shqetësim kryesor për artistët e fund shekullit të XIX-të.

 

Çdo njeri ka një fytyrë pas asaj dere, dhe kur ajo derë mbyllet çdo njeri ka një fytyrë tjetër. Dhe mendoj se, princi është diçka shumë e ngjashme me këtë. Atij i duhet të ruajë fytyrën, dukjen e tij përpara jetës së oborrit dhe ai e bën këtë përgjatë gjithë zhvillimeve të aktit të 1-rë, por poshtë të gjithë kësaj është një trishtim i tmerrshëm sepse ai nuk mund të gjejë dashuri dhe kjo është vetja e tij e vërtetë. Çdo lëvizje gjatë variacioneve të princit në balet, krijon një ndjesi të thellë trishtimi, ka një mënyrë të caktuar se si t’i e bën një arabesk, si si i ul krahët dhe kokën, apo se si shikon lart. Këto gjëra krijojnë bashkëbisedimin brenda pjesës. Dhe pasi princi të ketë përfunduar atë variacion, edhe ju duhet të ndjeheni si ai. Ju duhet të ndjeheni po aq të mjerë sa ai.

 

Edhe në vet jetën e tij personale jo të gjitha gjërat shkonin siç duhej në vet jetën e Tchaikovskyt. Tani është botërisht e njohur që ai vet ka qenë i dyzuar në vet seksualitetin e tij dhe ndodhej nën presion për t’u martuar dhe konformuar. Ndërsa jeta e tij artistike ishte në lulëzim. Që në moshën 35-se vjeçare, ai ishte i famshëm për simfonitë dhe koncertet e tij për piano. Ishte komisionimi për Liqenin e Mjelmave, nga një mik i vjetër në Teatrin Bolshoi, që i dha atij mundësinë që të eksploronte një botë tërësisht të re dhe që të shpaloste potencialin e vërtetë të baletit.

 

Përpara Tchaikovskyt (11:20) muzika e baletit ishte diçka si kjo. Kompozitorët brenda sistemit të teatrove perandorake, ishin pre e tekave të koreografëve të cilët kërkonin një lloj numrash baleti formulë, të përcaktuara. Ajo ishte muzikë oborri, ndërsa Tchaikovsky hodhi në erë çdo gjë që ishte bërë më parë. Dhe Liqeni i Mjelmave është më tipikja nga të gjitha këto. Zhvillimi tematik ishte pjesë e dramës dhe ajo nuk ishte thjesht muzikë për t’u kërcyer. Pra të dy këto elementë punonin së bashku për të treguar një histori.

 

Kurdo që shfaqet magjistari i ligë Rothbart, muzika krijon një furi të tillë që nuk mund t’i rezistosh. Liqeni i Mjelmave ka kërkesa të veçanta. Për të interpretuar këtë rol të nevojitet ajo lloj qëndrueshmërie siç është kombinimi i staminës që ka një maratonomak me një vrapues të shpejtë. Ajo që ne bëjmë është e gjatë dhe zgjat tri orë, por ajo ka shpërthime të jashtëzakonshme energjish.

 

Ndërsa, nervat janë diçka që ndryshojnë përgjatë karrierës tënde. Unë vet nuk kam qenë një balerinë shumë nervoze kur kam qenë e re. Ndjeja që askush nuk kishte ndonjë pritshmëri nga unë, kështu që, nuk kisha asgjë për të humbur. Pastaj me përparimin e karrierës sime, nuk doja që ta zhgënjeja publikun. Por gjithashtu, kuptova se, kjo varej nga sa shumë praktikë do të investoja tek çdo shfaqje. Sa më shumë që praktikohesha aq më pak nervoze isha.

 

Mars 1877 dhe premiera tek Teatri Bolshoi në Moskë përvijoi, megjithatë edhe gjatë provave thashethemet tregojnë se koreografia ka qenë e dobët dhe jo koherente, ndërsa një pjesë e trupës së baletit deklaruan se, muzika e Tchaikovskyt ishte e pakërcyeshme. Nata e hapjes ishte një nate me reagime të përziera. Çdo gjë ishte më shumë sesa moderne dhe muzika e Tchaikovskyt ishte e tillë.

 

Ai arriti që të protretizonte në skenë emocione të cilat nuk ishin parë kurrë deri në atë çast nga audiencat e baleteve. Tematika dhe stili i tij harmonik, ishin shumë bashkëkohore dhe moderne për atë kohë, gjë që ngazëlleu shumë nga ata që e panë atë. 

 

Sot është e paimigjinueshme të mendojmë se, Liqeni i Mjelmave mund të kishte humbur përgjithmonë. Ndoshta, mund të ketë qenë koreografia, ose shkurtime të fondeve në buxhetin e Teatrit. Askush nuk e di me të vërtetë përse, por vetëm pas disa sezonesh ajo u lhoq nga repertori. Por do të ishte muzika e paharrueshme e Tchaikovskyt dhe bashkëpunimi i dy koreografëve të pazakontë të cilët do t’a ruanin atë edhe për një gjeneratë tjetër.

 

E çuditshme (teksa vendos mbajtësen e flokëve)...më duket sikur jam duke veshur mbi vete vite të tëra tradite. Ndjej sikur papritur shikoj të gjitha balerinat e tjera që kanë veshur mbi flokë po këto pendë dhe se çfarë do të thotë t’i mbash ato.

 

Vijon...

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=mE6WRMIq1kM

 

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti

 

  

 

 

Comments