10 PIKTURAT SURREALISTE QË DUHET TË NJIHNI


Pikturat ikonike dhe më pak të njohura nga Salvador Dali, René Magritte, Leonora Carrington, Joan Miro, Max Ernst, Kay Sage, Yves Tanguy, Remedios Varo, Giorgio de Chirico dhe Dorothea Tanning

Nga REVISTA ARTSPER

Në një epokë të traumatizuar nga shkatërrimi i Luftës së Parë Botërore, shumë artistë kërkuan që të krijonin një lloj të ri realiteti për t’i dhënë kuptim botës. Të interesuar veçanërisht nga teoritë psiqike, Surrealistët përdorën ëndrrat, mendjen e pavetëdijshme dhe rrjedhjen e vetëdijshme të tyre për të krijuar artin e tyre. Në këtë artikull, do të zbuloni pikturat ikonike, si edhe më pak të njohura që kanë kontribuar në influencën e Surrealizmit.

 

1. Piktura “Ëndërr e shkaktuar nga fluturimi i një bletëze rreth një shege një sekondë përpara zgjimit” nga Salvador Dali

Megjithëse, Salvador Dali ka pasur një marrëdhënie të trazuar me Grupin e Surrealistëve, piktori spanjoll mbetet ende sot një nga artistët Surrealist më të famshëm. Orët e shkrira të pikturës “Këmbëngulja e Kujtesës”, janë një nga imazhet më të fmashme dhe më të riprodhuara të Dali-së, por overtura e tij surrealiste shkon përtej kësaj pikture. Për shembull, piktura “Ëndrra e Dali-së e shkaktuar nga fluturimi i një bletëze rreth një shege një sekond përpara zgjimit”, është një shembull i jashtëzakonshëm i artit surrealist në kulmin e tij. Titulli i gjatë i kësaj pikture paraqet karakterin psikoanalitik të kësaj vepre arti. Si shumë artistë surrealistë, Dali ishte i magjepsur nga ëndrrat dhe teoritë frojdiane të mendjes së vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. I vendosu në një peisazh marin, Dali paraqet një skensë si në ëndërr të frymëzuar nga një vizion i Gala-s, bashkëshortja dhe muza e artistit. Kjo atmosferë vibruese dhe, megjithatë, imponuese e bën këtë skenë njëherësh kërcënuese dhe ftuese.

 

2. Piktura “Tradhëtia e imazheve” nga René Magritte

Piktura plot humor e Magritte-it që thotë “Unë nuk jam një llullë” poshtë imazhit të një llulle realiste, ngre disa pika të rëndësishme mbi boshlleqet ndërmjet gjuhës dhe kuptimit, veçanërisht në epokën pas Luftës së Parë Botërore. Fjalët nuk kanë kuptimin e asaj që përfaqësojnë dhe artistët surrealistë ishin pro dekonstruktimit (zbërthimit) të gjuhës. Imazhet e Magritte, megjithëse të thjeshta, janë befasuese. Përdorimi nga ana e tij dhe përzierja e tekstit me imazhin ka qenë revolucionare për kohën dhe ka frymëzuar shumë artistë konceptual në fund të shekullit të 20-të.          

 

3. Piktura “Autorportret” nga Leonora Carrington

Një nga shumë gratë surrealiste, por shumë pak të njohura, piktorja amerikane Leonora Carrington ka qenë një artiste guximtare, e cila ia doli që të kthehej në një figurë kyçe të Surrealizmit pavarësisht diskriminimit nga bashkëkohësit e saj meshkuj. Shumë nga artistët meshkuj surrealistë kanë qenë mizogjen (shumë paragjykues ndaj femrave) dhe i pranonin gratë vetëm thjesht si dëshirë dhe objekt seksual. Falë grave të tilla si Leonora Carrington të cilat portretizuan në pikturat e tyre përvojat e grave, veçanërisht shoqëritë dhe mjediset e dominuara nga burrat. Në këtë autoportret, ajo eksploron feminilitetin e saj, duke krijuar një imitacion ndërmjet saj dhe një hiene, pra duke e lidhur veten me natyrën rebele të kafshës.

 

4. Piktura “Karnavalet e Harlekinit” nga Joan Miro

Piktura “Karnavalet e Harlekinit” konsiderohet si një nga veprat kryesore surrealiste në karrierën e artistit Joan Miro. Kjo piktura u ekspozua në ekspozitën kolektive “Piktura Surrealiste”, që u organizua në vitin 1925, në Galerinë ‘Pierre’, në Paris. Artistët kryesor surrealist të tillë si Giorgio de Chirico, Paul Klee, Man Ray, Pablo Picasso, dhe Max Ernst gjithashtu i ekspozuan veprat e tyre të artit së bashku me ato të Miro-s. Kjo pikturë është frymëzuar nga haluçinacionet e artistit kur ai ishte në vështirësi ekonomike, kohë gjatë së cilës madje luftonte për të mbushur edhe stomakun. Vet Miro ka thënë: “Unë u përpoqa t’i përkthej haluçinacionet që mund të prodhonte uria. Unë nuk paraqita atë që shikoja në ëndrrat e mia, siç kanë bërë shpesh Surrealistët, por se çfarë prodhonte uria: një formë transi.” Lëmshi i dukshëm i artikujve të zakonshëm  të vendosur së bashku është, në fakt, fryt i një kompozimi të hollë dhe të detajuar, siç provojnë edhe skicat e hershme të Miro-s.

 

5. Piktura “Ubu Imperator” nga Max Ernst

Artisti surreal Max Ernst ishte radikalisht kundër artit akademik dhe kërkonte që të revolucionalizonte plotësisht përqasjen e njerëzve ndaj artit. I frymëzuar nga drama tetarale absurde e Alfred Jarry, ‘Mbreti Ubu’, piktura ‘Ubu Imperator’  përfaqëson pushtetin shtypës në mënyrë ikonike dhe satirike. Në një peisazh të zbrazët, “Imperator-i” paraqitet si një kreshtë antropomorfike, e kornizuar në një armaturë të kuqe dhe me duar prej njeriu që shprehin habi. Kreshta mishëron idenë e një ekuilibri të paqëndrueshëm, duke sugjeruar se, autoriteti është shumë larg përhershëmrisë dhe se ai mund të përmbyset në çdo çast. Këto elementë të shumëllojshëm përzihen së bashku për të krijuar një ide absurde dhe qesharake mbi autoritetin.

 

6. Piktura “Unë pashe tre qytete” nga Kay Sage

Një piktore surrealiste amerikane, Kay Sage pikturonte atmosfera surreale, të cilat shfaqen si të përhumbura dhe fantazmore. Siç tregon piktura e saj “Unë pashë tre qytete”, puna e saj varionte gjërësisht nga ajo e grave të tjera surrealiste. Universi i saj mbeti i errët, i papenetrueshëm dhe nihilist përgjatë gjithë karrierës së saj. Në këtë pikturë, ajo përzien fluiditetin e pëlhurës, në përkujtim të estetikës së Greqisë Antike, me forma gjeometrike të ashpra. Ky kontrast krijon një tension ndërmjet modernitetit dhe artit klasik.  

 

7. Piktura “Ndashmëria e pafundme” nga Yves Tanguy

Kjo pikturë në kanavacë dhe vaj, paraqet objekte mondane të grumbulluara së bashku për të formuar atë që duket si këmbaleci i artistit. Tanguy ka përdorur konceptin e lumit të vetëdijes për të krijuar veprat e tij të artit, siç ka thënë edhe ai një herë: “Piktura zhvillohet përpara syve të mi, duke shpalosur surprizat e saj teksa përparon.” Piktura e Tanguy-it kërkonte të shkaktonte emocione, sesa thjesht të komunikonte shpjegime specifike. Kay Sage ishte bashkëshortja e tij dhe, megjithëse, ata punonin në mënyrë të pavarur, atmosferat e tyre mbinjerëzore karakteristike kanë pasur padyshim influencë reciproke në krijimet e tyre artistike.

 

8. Piktura “Fara qiellore (Celestial Pablum)” nga Remedios Varo Uranga

Varo Uranga ka qenë një piktore feministe dhe anarkiste surrealiste spanjolle, e lidhur me lëvizjen që i ka paraprirë surrealizmit. Ajo ishte e interesuar në trashëgiminë dhe mistikën dhe përpiqej që të krijonte një vetëdje femërore kolektive dhe çlirimin e vetvetes nga shtypja patriarkale. Piktura “Celestial Pablum” paraqet një grua të burgosur në një kullë mesjetare, nën shoqërinë e hënës, e cila gjithashtu është në kafaz. Shpesh gratë asociohen me hënën për të simbolizuar pjellorinë dhe mëmësinë e tyre. Diçka e tillë është kufizuese duke qenë  se, ato përkufizonin atë që ishte “e mirë” dhe “natyrale” për gratë. Përveç këtyre, shumë nga pikturat e Varo-s lidhen me universin qiellor, dhe ajo besonte se arti dhe shkenca janë thellësisht të lidhur me njëri-tjetrin.   

 

9. Piktura “Kënga e dashurisë” nga Giorgio de Chirico

Piktori italian Giorgio de Chirico konsiderohet një nga pararëndësit e surrealizmit dhe i vlerësuar veçanërisht nga rrethi i surrealistëve parizian. Megjithëse, kjo pikturë është pikturuar 10 vite përpara Manifestit të Surrealizmit nga Andre Breton dhe themelimit zyrtar të lëvizjes në vitin 1923, piktura e tij “Kënga e dashurisë” është një nga shembujt e hershëm të pikturës surrealiste. Karakteri surealist i pikturës qëndron në përzierjen e objekteve të mistershme të tilla si doreza gjigande e kirurgut me një bust klasik dhe një top gome për të krijuar një ndjesi misteri. Duke qëne se në atë kohë nuk ekzistonte ende termi surrealist, piktura e Chirico-s përkufizohej si metafizike.  

 

10. Piktura “Eine Kleine Nachtmusik” nga Dorothea Tanning

Dorothea Tanning, e cila vdiq në vitin 2012, më në fund po merr vlerësimin e merituar më së miri. Muzeu ‘Tate Modern’ në Londër ka organizuar vitet e fundit një ekspozitë kryesore kësaj artiste femër kaq të zhdërvjellët. Piktura ‘Eine Kleine Nachtmusik’ është një nga veprat e hershmë, më të famshme dhe me shumë mundësi është frymëzuar nga frikërat dhe makthet e saj në fëmijëri. Elementët e mbinatryrshëm, të tillë si një luledielli tejet e madhe që duket si e animuar dhe kukullat e një madhësie natyrore krijojnë një atmosferë mbinatyrore në një korridor të errët hoteli.

(Imazhi 1: René Magritte, “Golconde”, 1953)

(Imazhi 2: Salvador Dali, Ë”ndërr e shkaktuar nga fluturimi i një bletëze rreth një shege një sekond përpara zgjimit”, 1944)

(Imazhi 3: René Magritte, “Tradhëtia e imazheve”, 1928)

(Imazhi 4: Leonora Carrington, “Autoportret”)  

(Imazhi 5: Joan Miro, “Karnavalet e Harlekinit”, 1924)

(Imazhi 6: Max Ernst, “Ubu Imperator”, 1923) - ‘Ubu Imperator’ u krijua në vitin 1923. Ajo është një metaforë për njeriun modern (të njeriut modern të asaj kohe).

(Imahzi 7: Kay Sage, “Unë pashë tre qytete”, 1944)

(Imazhi 8: “Ndashmëria e pafundme”, Yves Tanguy)

(Imazhi 9: Remedios Varo Uranga, “Celestial Pablum” [Fara qiellore])

(Imahzi 10: Giorgio de Chirico, “Kënga e dashurisë”, 1914)

(Imahzi 11: Dorothea Tanning, “Eine Kleine Nachtmusik”, 1943)











Burimi:

https://blog.artsper.com/en/a-closer-look/10-surrealist-paintings-you-should-know/

Përzgjodhi dhe përktheu – Enkeleda Suti

Comments