AMEDEO MODIGLIANI: MODERNIZUESI I PIKTURËS FIGURATIVE


Artisti i portreteve ikonike të fytyrave pariziane të fillim-shekullit të 20-të

 

Nga MUZEU TATE, Londër

Më shumë i njohur si piktor, përpara vdekjes së tij në moshën 35 vjeçare, Modigliani ka krijuar gjithashtu skulptura dhe vizatime mbreslënëse. Megjithatë, legjenda e jetës së tij të trazuar dhe vdekjes së hershme, dhe vetvrasja pasuese e së fejuarës së tij të re, Jeanne Hébuterne, kanë hijëzuar arritjet e konsiderueshme artistike të tij.    

Siç ka shkruar shkrimtari Arthur Pfannstiel në vitin 1929: “Jeta e Modigliani-t, një artist ëndërrimtar, kaq shpesh i ngjan një legjende saqë është e vështirë të dallojmë faktin nga trillimi.” 

 

Ajo që mbetet nga ky njeri i jashtëzakonshëm është një korpus veprash që modernizuan pikturën figurative. Shpesh i karakterizuar nga trupat e tyre të zgjatur dhe sytë e zbrazët, subjektet e tij janë qartësisht të dallueshme si vepra të “Modigliani-t”, ku secila prej tyre na rrëfen histori të jetës dhe të artit të tij.

 

NUDOT E TIJ JANË KUNDËRSHTUAR SHUMË

 

Për ekspozitën e tij të parë dhe të vetme solo, Modigliani pikturoi një seri nudosh, të cilat janë tani ndër pikturat e tij më të famshme. Sipas legjendës, nudot tërhoqën kaq shumë turma rreth tyre në galeri saqë ato tërhoqën edhe vëmendjen e një oficeri policie. Oficeri u ofendua, jo aq shumë nga lakuriqësia e tyre sesa nga shfaqja e qimeve në organet gjenitale, dhe ai urdhëroi menjëherë heqjen e tyre. Qoftë nëse kjo ka ndodhur në të vërtetë apo jo, është e sigurt që ekspozita tërhoqi imagjinatën e publikut, dhe kontribuoi në reputacionin e Modigliani-it si një ‘playboy’ skandaloz. Për më tepër, ‘gratë moderne’ të Modigliani-it, shikohen nga disa si simbole të seksualitetit dhe të shpërfilljes. Vështrimi dhe pozimi i tyre mospërfillës, paraqesin gra të cilat janë nën kontroll të trupit të tyre dhe të mënyrës së tyre të jetesës (modelet në atë kohë fitonin deri diku goxha para). Kjo, në vetvete, ishte një deklaratë e vërtetë.  

AI DASHURONTE POEZINË

“Unë nuk kam takuar kurrë një piktor që ta dashuronte poezinë kaq shumë.” – Ilya Ehrenburg

 

Thuhej se, Modigliani recitonte rregullisht Dante-n dhe poetë të tjerë përmendësh. Gjithashtu ai ka pikturuar një sërë poetësh dhe shkrimtarësh bashkëkohor të mirënjohur, duke përfshirë Blaise Cendrars, Guillaume Apollinaire dhe Jean Cocteau. Teksti i tij i parapëlqyer ishte ‘Les Chants de Maldoror’ nga Comte de Lautréamont (Isidore-Lucien Ducasse), të cilin ai e mbante kudo me vete në xhepin e tij. Arsyeja për fiksimin e tij me këtë tekst të veçantë mund të ketë qenë për shkak të lidhjes me vet jetën e tij. Ducasse mbahej mend anektodalisht si një “gjeni i sëmurë” dhe një “vetmitar”. Modigliani mund të ketë ndjerë se ky poet vetmitar reflektonte vet gjendjen dhe statusin e tij të huaj si një hebre italian në Paris.

AI VIZATONTE VAZHDIMISHT

 

“Që të bëj një vepër, duhet të kem një person të gjallë...Unë kam nevojë që ta kem përballë meje.” - Amedeo Modigliani

 

Modigliani-it i pëlqente që të vizatonte përesë gjalli. Megjithatë, ndonjëherë ai mund të ketë përdorur fotografitë për referencë, më shpesh, pikturat e tij fillonin kur ai punonte drejtëpërdrejtë nga një model. Ai ishte një vizatues i fiksuar dhe shpesh nxirrte letër dhe laps në kafene ose në rrugë, një ushtrim nga ana e tij e cila është përshkruar si “gjimnastikë grafike”. Këto vizatime, u kthyen në diçka paraprakisht thelbësore për pikturat e tij, si edhe atëherë kur ai i këmbente ato për të artikuj material për të cilat nuk kishte para për t’i paguar.  

SKULPTURAT E TIJ MUND TË JENË BËRË NGA GURË TË VJEDHUR

 

Për disa vite të jetës së tij, Modigliani e braktisi pikturën për t’u fokusuar tek skulptura. Ai madje u zgjodh për të ekspozuar në ‘Salon d’Automne’ në vitin 1912, një nder i madh për një artist të ri në atë kohë. Megjithatë, për shkak të vështirësive të tij financiare, biografët kanë hamendësuar se si ia ka dalë Modigliani që të përballojë materialet e shtrenjta të nevojshme për të realizuar këto vepra. Mund të ketë ndodhur, që si një numër skulptorësh të tjerë në atë kohë, me raste ata merrnin ‘borxh’ gur për të punuar me veprat e tyre. Montparnasse, ku jetoi ai, ka qenë një nga zonat e fundit të Parisit që u rinovua, që kishte një pasuri të tërë mënjanë me gur gëlqerorë për godinat e saj. Me shumë mundësi nuk është koinçidencë që seria e skulpturave të “Kokave” të Modigliani-it janë skalitur nga i njëjti lloj guri.

 

AI NUK KISHTE FRIKË TË SHPREHTE ATË QË MENDONTE

 

Në vitin 1918, Modigliani dhe partnerja e tij, Jeanne Hébuterne, vizituan impresionistin e famshëm Pierre-Auguste Renoir. Me shumë mundësi duke besuar se, Modigliani-it do t’i pëlqente ta ngacmonte paksa (me shaka), Renoir i rrëfeu atij se ai nuk besonte se një pikturë nudo ishte e përfunduar nëse ai nuk do të ndjente dëshirën për t’i futur një shuplakë të pasmeve të saj. Por në vend që të qeshte, Modigliani e ndërpreu bisedën shkurt, duke i kthyer prerazi përgjigjen: “Mua nuk më pelqejnë mollaqet.”

 

Kjo përgjigje e supozuar nga ana e tij, është një shembull se si e jetoi jetën Modigliani sipas kushteve të tij, pa ndjesinë për të qenë i respektueshëm me individët e tjerë të arrirë. Gjithashtu diçka e tillë mund të lexohet si një shenjë respekti ndaj modeleve të tij femra. Pavarësisht të metave të tij të shumta, kur shikoni portretet e Modigliani-t, ato mund të lexohen si të pikturuara me empati dhe emocion.

 

(Imazhi 1: Amedeo Modigliani nga një fotograf i panjohur)

 

(Imazhi 2: Amedeo Modigliani, “Nudo e shtrirë”, 1919)

 

(Imazhi 3: Amedeo Modigliani, “Jeanne Hébuterne”, 1919)

 

(Imazhi 4: Amedeo Modigliani, “Vazo me kariatide [lloj guri]”, rreth vitit 1914)


(Imazhi 5: Amedeo Modigliani, “Kokë”, rreth viteve 1911–12)


(Imazhi 6: Amedeo Modigliani, “Fshatari i vogël”, rreth vitit 1918)

(Imazhi 7: Amedeo Modigliani, “Beatrice Hastings”, 1915)







 

Burimi: https://www.tate.org.uk/art/lists/five-things-know-amedeo-modigliani

 

Përzgjodhi dhe përktheu – ENKELEDA SUTI.


Comments