ARTI DHE TEORIA

 

Zhvillimet e shekullit të XX-të i hapën rrugën përkufizimeve të reja të artit. Në vitin 1964-të, filozofi amerikan Arthur C. Danto (b.1924) pa veprën e titulluar ‘Kutitë Brillo’ nga artisti i pop-it amerikan Andy Warhol në një galeri në Nju Jork dhe pyeti se, cili ishte dallimi për syrin ndërmjet kutive të Warhol-it dhe atyre që ndodhen në një raft supermarketi. Cili është dallimi, le të themi, ndërmjet një vepre arti dhe një objekti të vërtetë? Sipas Dandot-s, ajo nuk është diçka të cilën ne mund ta shikojmë; dallimi qëndron tek sfondet e teorisë së artit brenda së cilës një objekt përcaktohet si art apo jo. Danto besonte se, një vepër nuk është art sipas cilësive universale të tilla si bukuria, forma e rëndësishme, fuqia imagjinative, apo vërtetësia e saj; në vend të këtyre, një vepër kthehet në vepër arti kur ajo përshtatet brenda teorisë së artit. Ai besonte se, arti pop i Andy Warhol-it shënjoi fundin e një narracioni historik të artit tradicional: ajo që dikur quhej art, tani mund të ishte çdo gjë.

 

Megjithatë, nëse e shikojmë këndvështrimin e Danto-s, mbi artin historikisht, ato janë më shumë në përputhje me zhvillime të tjera të cilat kanë ndodhur përpara Warhol-it, atëherë kur filluan të zgjeroheshin kufinjtë e artit në fillim të shekullit të XX-të. Nga shkatërrimet e Luftës së Parë Botërore dhe fragmentarizimet e shoqërisë, lindi lëvizja Dada. Dada u kthye në një lëvizje ndërkombëtare në Kabarenë e Volterit në Zyrih, dhe përfshinte forma arti si filmin, performancën, ‘objektet e gjetura’, dhe recitimet poetike. Shembull i nocionit të Danto-s se çfarë e bën diçka art, është puna e artistit novator të Dada-s, Marcel Duchamp. Ai shpiku ‘objektet e gatshme’ – një objekt i prodhuar që u kthye në art thjesht duke u deklaruar si e tillë nga vet artisti.

 

Duchamp lindi në Francë në vitin 1887 dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara herët në shekullin e XX-të. Objekti i tij i parë i gatshëm u krijua në vitin 1915-të kur ai bleu një lopatë në një dyqan dhe e titulloi atë ‘Përpara një krahu të thyer’. Lopata u kthye në art sepse artisti tha që ajo ishte art, si edhe duke i dhënë asaj një titull, duke reflektuar këndvështrimin e Danto-s që nuk është thelbi i diçkaje që e bën atë art, por thjesht ajo që i shtohet asaj. Megjithatë, një vepër në përgjithësi nuk konsiderohet art, argumenton Danto, deri në momentin që asaj t’i jetë dhënë anëtarësia në ‘klubin’ ndërkombëtar të artit botëror. Objektet e gatshme të Duschamp-it nuk u pranuan të gjitha menjëherë nga klubi: ‘Ujëvara’ e tij, e cila ishte në të vërtetë një pishuar që ai e ktheu me kokë poshtë, e datoi atë me vitin 1917-të, dhe e nënshkroi me inicialet R. Mutt, u refuzua kur ai e dorëzoi atë në një ekspozitë në Nju Jork në vitin 1917-të. Siç ndodh shpesh, botës së artit iu desh kohë, ndërsa publikut të përgjithshëm edhe më gjatë, për ta konsideruar veprën e Duschamp-it një vepër arti.   

 

Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti. Marrë nga libri 'Arti', Një udhëzues për fillestaret, Laurie Schneider Adams, Mbretëria e Bashkuar, 2011.

 

Comments