LIRIA DUKE UDHËHEQUR NJERËZIT NGA EUGENE DELACROIX


Eugene Delacroix figura udhëheqëse e Shkollës Romantike Franceze

Një mishërim i Perëndeshës së Antikitetit Grek dhe Traditës Republikane Romake 

Simboli universal i lirisë dhe demokracisë!

Nga REVISTA ARTSPER

 

“Liria duke udhëhequr njerëzit” është pikturuar në vitin 1830 nga Eugene Delacroix, menjëherë pas trazirave revolucionare që kishin pushtuar të gjithë Parisin po atë vit. E karakterizuar nga rëndësia e saj alegorike dhe politike, kjo kanacavë e madhe në vaj u kthye në një simbol universal të lirisë dhe demokracisë. E përdorur shpesh në kulturën popoullore për të simbolizuar emancipimin e njerëzve nga dominimi shtypës, ajo është një nga pikturat  më të famshme në Hisotrinë e Artit. Artsper ju ndihmon që të mësoni më shumë mbi historinë dhe simbolizmin që shtrihet pas kësaj vepre ikonike arti.  

 

Konteksti historik

Revolucioni i paraqitur në këtë pikturë nuk duhet ngatërruar me Revolucionin Francez të vitit 1789. Delacroix ishte frymëzuar nga ngjarjet e Revolucionit të Korrikut (i njohur si ‘Les Trois Glorieuses’ në frengjisht, apo si ‘Tre Ditët e Lavdishme), trazirat politike që ndodhën në Paris më 27, 28 dhe 29 korrik 1830. Këto tubime të dhunshme ndodhën teksa Mbreti Francez Charles X u përpoq të kufizonte lirinë e njerëzve duke ekzekutuar një pushtim kushtetues. Parizienët protestuan dhunshëm kundër abuzimit të të drejtave të tyre. Protestuesit morën qytetin dhe shpërthyen luftime të dhunshme, duke rezultuar në një numër të lartë vdekjesh. Në fakt, Charles i X-të abdikoi dhe u vendos një monarki kushtetuese, Monarkia e Korrikut, ku Louis-Philippe u bë mbreti i francezëve.

 

Vet Delacroix nuk ishte edhe aq revolucionar dhe nuk mori pjesë në luftimet e Parisit, ku ai e përshkroi veten si një “endacak të thjeshtë”. Megjithatë, ai advokoi për liberalizmin dhe ishte ngërthyer nga ndenja e patriotizmit dhe krenarisë teksa vëzhgonte bashkëqytetarët e tij duke luftuar.  

 

Romanticizmi

Eugene Delacroix ka qenë figura udhëheqëse e Shkollës Romantike Franceze. Ai kërkonte që të emancipohej nga ideali dhe kanonet klasike të artit akademik. Subjekti i pikturës ishte bashëkohor, ndërsa kanavacat e kësaj madhësie përgjithësisht ishin të rezervuara për pikturat historike, të paktën sipas rregullave të hierarkisë së gjinive të pikturës së Akademisë. Delacroix deklaroi se, ai ishte “përpirë nga subjekti modern, një barrigadë, dhe megjithëse unë mund të mos kem luftuar për vendin tim, të paktën unë do të pikturoj për të. Ajo më ka rikthyer shpirtin.” Piktori përdor gjithashtu ngjyrën e kuqe dhe atë blu, e cila rezulton në kontraste të ndezura, në vend të ngjyrave më të mbytura që përdoreshin në atë kohë.  

 

Detajet: Liria

Në qendër të pikturës, vështrimi ynë përpihet menjëherë nga paraqitja alegorike e Lirisë. E përfaqësuar nga Marianne, një simbol i Republikës, gruaja me kapuç frigjian po udhëheq një grup revolucionarësh. Fustani i saj i verdhë i varur zbulon gjinjtë e saj, duke na risjellë në mendje Perëndeshën Greke të Antikitetit. Profili i saj, një hundë e drejtë, buzë të kumbullta dhe një mjekër delikate janë mishërimi i antikitetit grek dhe i statujave romake. Ajo është një tribut ndaj Greqisë Antike, djepi i demokracisë, si edhe i traditës republikane romake. Megjithatë, Delacroix ka përfshirë në të simbole moderne, duke qenë se ajo po mban flamurin tringjyrësh në një dorë, dhe një bajonet në tjetrën. Në këtë mënyrë, Liria i mishëron të dyja, luftën moderne dhe ideologjinë antike të lirisë.

 

Struktura piramidale e pikturës lartëson momentumin e luftës. Toka është e mbushur me trupa dhe, nga kjo mizeri dhe dhimbje, Liria qëndron e gjatë mbi mbetjet e barrikadës, duke dalë prej andej e fortë dhe fitimtare. Ky kompozim rigoroz përmban dhe ekuilibron penelatat e vrullshme të piktorit dhe krijon një efekt ndriçues goditës. Ajo është një skenë kaosi dhe energjie, e mbushur me tym dhe lëvizje, por megjithatë, piramida e Delacroix-it krijon me sukses një ndjesi rendi. Piktura na risjell Meduzën e Gericault-it, që përfaqëson dhunën, por pa e idealizuar atë.

 

Detajet: Plani i parë

Në plan të parë, janë dy figura fisnike. Në të majtë, është një burrë me një pistoletë të futur në brez, ai ka veshur një këmishë, por është pa xhaketë. Veshja e tij tregpon që ai është një anëtar i shtresës së ulët, dhe fjongot në kapelën e tij janë provë e mësimeve revolucionare. Figura në të djashtë, ngjitur me punëtorin e veshur si borgjez: i plotë me kapele, xhaketë dhe jelek. Delacroix sugjeron qartësisht se, njerëzit e të gjitha shtresave janë bashkuar së bashku për të luftuar për një shoqëri më të mirë. Revolucioni nuk ishte lufta e një klase kundër një klase tjetër, por për njerëzit që luftonin kundër shtypjes mbretërore.

Në krahun e djathtë të pikturës, është një djalë i ri, i cili mban jo një, por dy pistoleta. Ai është simboli i kryengritjes rinore, dhe kapela e tij e kadifenjtë dhe çanta tregojnë se, ai është një nxënës shkolle. Ai mund të ketë qenë një frymëzim nga personazhi i çapkënit të rrugës, Gavroche nga romani “Të mjerët” e Victor Hugo-s.

Trupat e vdekur të ushtarëve dhe të qyetarëve në tokë përfaqësojnë koston e tmershme të revolucionit. Këto përmblidhen më së miri nga figura në cepin e majtë, i cili është i zhveshur nga beli e poshtë dhe mban veshur vetëm një këmishë nate, duke nënkuptuar që rojet mbretërore e kenë tërhequr zvarrë nga shtrati i tij për ta hedhur tek një fat i tmerrshëm. Trupi është shumë afër shikuesit, duke pushtuar menjëherë pamjen tonë.

Kjo pikturë u ble nga Mbreti Louis-Philippe për të treguar mbështetjen e tij ndaj vlerave republikane. Megjithatë, ajo iu kthye Delacroix-it në vitin 1839, sepse ideologjitë revolucionare të pikturës u përceptuan si të rrezikshme. Kjo pikturë është një kujtesë e mirë se si ishte arti i politizuar i Francës së shekullit të 19-të.

(Imazhi 1: “Liria duke udhëhequr njerëzit”, Eugène Delacroix, 1830)

(Imazhi 2: “Portret i Charles X”)

(Imazhi 3: “Autoportret me jelek të gjelbër”, Eugene Delacroix, 1837)

(Imazhi 4: Detaj: Marianne – “Liria duke udhëhequr njerëzit”)

(Imazhi 5: Pamje nga afër – “Liria duke udhëhequr njerëzit”)

(Imazhi 6: Nxënësi – “Liria duke udhëhequr njerëzit”)

(Imazhi 7: Burri në tokë – “Liria duke udhëhequr njerëzit”)








Burimi:

https://blog.artsper.com/en/a-closer-look/art-analysis-liberty-leading-the-people-by-eugene-delacroix/

Përzgjodhi dhe përktheu – Enkeleda Suti.

Comments