LUCIO FONTANA: NJË ARTIST VIZIONAR
Ju mund të mos jeni të njohur me emrin e tij, por me shumë mundësi do t’i keni parë tashmë pikturat e tij të çara monokromatike. Babai i lëvizjes së “Spatializmit”, gjenialiteti novator i Lucio Fonata-s ishte thelbësore për zhvillimin e Artit Abstrakt. Në këtë artikull, do të fokusohemi tek jeta dhe puna e këtij artisti vizionar, i cili ka frymëzuar shumë lëvizje artistike të shekullit të 20-të.
NJË ARSTIST PIONER
Lucio Fontana ka lindur
në vitin 1899, në Rosario de Santa Fé, në Argjentinë nga prindër italian. Ai i
kaloi vitet 1930 dhe 1940 në Itali dhe në Francë, ku punoi si skulptor dhe ku
organizoi ekspozitën e tij të parë. Megjithëse, ai njihet kryesisht për serinë
e pikturave të tij, Fontana u trajnua fillimisht për skulpturë. Shkollimi dhe edukimi
i tij në skulpturë shpjegojnë interesin e tij të paepur për marrëdhënien ndërmjet
sipërfaqes dhe dimensionalitetit. Rreth kësaj kohe, ai filloi eksperimentimin
me veprat e tij si ‘Skulptura Hapësinore’, duke prekur tashmë konceptin e “Spatializmit”.
Me shpërthimin e
Luftës së Dytë Botërore, Fontana kërkoi strehim në vendin e tij mëmë, në
Argjentinë, ku themeloi “Akademinë Altamira” dhe ku shkroi “Manifestin e Bardhë”
së bashku me studentët e tij dhe ku shtroi themelet dhe idetë që më vonë do të
shërbenin për formësimin e lëvizjes së “Spatalizmit”. Duke formuluar idetë e kërkimit
artistik, ai përcaktoi një lloj të ri arti duke refuzuar traditat e vjetra.
Pas Luftës së Dytë
Botërore, Fontana u kthye në Itali, ku vazhdoi eksplorimin e ideve pas lëvizjes
së artit të “Spatializmit”. Ai filloi eksperimentimin e mediumeve më novatore,
veçanërisht dritën dhe boshllëkun/zbrazëtinë si një mënyrë për të gjeneruar hapësirë.
Artisti italian tashmë ishte brohoritur dhe vlerësuar nga kritikët e artit për
shpikjet gjatë jetës së tij, dhe vdiq në vitin 1968 në Comabbio, në Itali.
NJË LËVIZJE ARTISTIKE REVOLUCIONARE
Ideja kryesore pas “Spatalizmit”
ishte krijimi i një forme arti që do të sintetizonte së bashku tingullin, ngjyrën,
lëvizjen dhe hapësirën në një vepër të vetme arti. Siç e shpjegon edhe ai në “Manifestin
e Bardhë”, dëshira e tij përfundimtare ishte krijimi i një bashkimi të artit
dhe të hapësirës: “Ngjyra, një element i hapësirës; tingulli, një element i kohës;
dhe lëvizja, e shpalosur në hapësisë dhe kohë.” Fontana gjeti frymëzim gjithashtu
tek magjepsja e Futuristëve me teknologjinë. Ai kërkonte që të inkurajonte
artistët e rinj për të përqafuar modernitetin dhe përdorimin e teknikave të
reja të përshtatshme për një epokë moderne. Fontana ishte i fiksuar me
dimensionin konceptual të artit dhe e perceptonte atë si një instrument kërkimi,
sesa si subjekt estetike. Siç shprehej ai, “Unë nuk dua të bëj një pikturë; Unë
dua të hap një hapësirë, të krijoj një dimension të ri, të lidhur në kozmos,
teksa ai zgjerohet pafundësisht përtej planit kufizues të pikturës.”
Këto inovacione hapën
perspektiva të reja të kërkimit artistik, si një kumt të lëvizjeve kryesore
artistike të shekullit të 20-të, të tilla si ‘Arte Povera’, Ekspresionizmi
Abstrakt, Minimalizmi dhe ‘Zero’.
Fokusi në vepra të përzgjedhura
1. “CONCETTO SPAZIALE” (KONCEPTI HAPËSINOR)
“Koncepti Hapësinor”,
më vonë i titulluar “Attese,” (Pritja) është seria e tij më e famshme. Kanavacat
monokromatike të çara me pedantizëm filluan ciklin e “prerjeve”, duke u ndarë
nga xhestet joformale dhe të rastësishme të fazës së tij më të hershme “buchi”
(gropat/vrimat). Duke i shpuar dhe gërvishtur kanavacat e tij, Fontana shkon përtej
materialitetit të kanavacës. Ato nuk janë më një hapësirë e sheshtë, por kthehen
në një objekt tredimensional.
Fontana i përdor
prerejet për të sugjeruar idenë e zbrazëtisë, duke hapur hapësirën dhe boshllëkun/zbrazëtinë
për një përvojë konkrete të hapësirës. Ky xhest radikal tregon një prishje me
traditën akademike të pikturës; e gjithë kanavaca është, si për të thënë, e
dhunuar. Fontana na tregon mbi këtë materialitet dhe duke u ndarë nga tradita
iluzioniste që shoqëron pikturën. Në këtë mënyrë, ai denoncon ndotjen borgjeze
të funksioneve zbukuruese dhe estetike të Artit. Iluzioni zëvendësohet me përvojën;
hijet nuk stimulohen më nga imitimet, por ato shfaqen natyrshëm, në mënyrë
origjinale në kanavacë.
2. “AMBIANTE SPAZIALE A LUCE NERA”
Puna e Fontana-s shkon përtej birimit dhe prerjes së kanavacave të tij. Vepra e tij ‘Ambient hapësinor me dritë të errët’, e krijuar në vitin 1949, është një shembull pioner i asaj që më vonë do të kthehej në artin e instalacioneve. 70 vite më vonë, ky art ndjehet ende si diçka bashkëkohore. Për këtë vepër, Fontana ka përdorur materiale novatore të tilla si neon dhe bojë forsforeshente. Instalacionet zgjasin vetëm gjashtë ditë, vetëm për kohën e ekspozitës. Fontana kërkonte të krijonte një hapësirë “lirie emotive” për vizitorin, “pa pikturën, apo dritën; por me një formë të ndriçuar në hapësirë.” Ato janë veprat më eksperimentale dhe më pak të njohura të Fontana-s për shkak të natyrës së tyre kalimtare.
(Imazhi 1: Lucio Fontana, 1965)
(Imazhi 2: Lucio Fontana në studion e tij në rrugën ‘De Amicis’, në Milano, 1933)
(Imazhi 3: Lucio Fontana në studion e tij në ‘Corso Monforte’, në Milano, 1961)
(Imazhi 4: Koncepti hapësinor, 1960)
(Imazhi 5: Ambient hapësinor me dritë të errët, 1949)
Burimi: https://blog.artsper.com/en/a-closer-look/lucio-fontana-a-visionary-artist/
Përzgjodhi dhe përktheu – ENKELEDA SUTI.









Comments
Post a Comment