PËRSE MERREM ME TEATËR? NGA PATSY RODENBURG
Bisedë e hapur me studentë në Studion Michael Howard
(Shkollë ekselence drame në Nju Jork, USA), 17 prill 2008
Patsy Rodenburg është mjeshtre zëri dhe mësuese mbi veprat
e Shekspirit. Ajo mban pozicionin e Drejtuese Zëri pranë shkollës prestigjoze të
muzikës dhe të dramës ‘Guildhall’ në Londër prej 26 vitesh dhe deri së fundmi edhe
pranë Teatrit Kombëtar Mbretëror. Ajo është e mirënjohur ndërkombëtarisht si mësuesja
dhe trajnerja më e mirë e zërit në botë dhe si një autoritet i famshëm mbi
Shekspirin.
Dua të flas për aktorët. Do ju flas për rrethin e dytë që
ka të bëjë me të qenit të pranishëm. Të jesh në moment, të jesh i angazhuar dhe
të krijosh lidhje. Do më dëgjoni t’ju flas me pasion sepse mendoj se, ne si
shoqëri jemi duke e humbur prezencën tonë, të qenit të pranishëm në moment. Dhe
aktualisht ashtu si një aktor, performues ose si një sportist nëse nuk jeni të
aftë të jeni të pranishëm atëherë nuk mund të keni sukses. Aktorët janë një
pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë dhe dua t’ju flas pak pikërisht për këtë.
Mendoj se tani kemi nevojë më shumë sesa kurrë për dramaturgët dhe për aktorët.
Do të kthehem pas në kohë, tek Greqia e lashtë, shëruesit e shoqërisë, njerëzit
që dëshmojnë të vërtetën. Dhe është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë këtë.
Fillmisht, kur fillova të punoj në Afrikën Jugore pas
aparteidit çdo aktorë me të cilën/cilin kam punuar ishte torturuar gjatë
aparteidit. Të gjithë ata! Sepse aktorët janë të rrezikshëm! Siç e dimë disa
nga njerëzit e parë në kampet e përqëndrimit ishin aktorë. Dhe, mendoj se ndonjëherë
duke qenë se jemi në një botë, të më ndjeni që po shprehem kështu ku mbizotërojnë
- dhëmbët dhe gjoksi, dhe ka aktorë të cilët duhet të nxjerrin jetesën dhe
ndonjëherë këtë duhet ta bëjmë të gjithë, por e vërteta dhe rëndësia e aktorit është
shumë e madhe. Për t’ju ilustruar këtë do t’ju rrëfej dy histori pasi mendoj që
janë shumë të rëndësishme në këtë hapësirë. Dhe, ndërkohë që flasim ndër të
tjerash do t’ju flas edhe për Shekspirin dhe gjëra të tjera të cilat do të na
dalin rrugës.
Përpara disa kohësh mora pjesë në një program në radio për
BBC-në me një producente shumë të famshme radioje dhe gazetare. Në panel isha
me një agjent i cili përqeshte aktorët. Ai kishte shkruar një libër dhe çdo gjë
që bëntë kishte të bënte me histori shumë të këqija rreth artistëve. Ndërsa, unë
po mbroja aktorët në program. Deri në një farë pike ajo ishte e gëzuar që unë
po mbroja aktorët dhe në fakt ajo është një grua mjaft e ashpër. Dhe në fund të
transmetimit ajo më tha: ‘E di dua të të them se... - dihet që djali i saj në
moshën 21 vjeçare ka kryer vetëvrasje – ‘E di pse isha e gëzuar që po mbroje
aktorët sepse të vetmit që mund të merreshin me mua në dhimbjen time ishin
aktorë. Ata ishin të vetmit që erdhën, i ranë derës dhe ishin aty të pranishëm bashkë
me mua.’ - Dhe kjo mu duk e mrekullueshme. Sepse kjo është e vërtetë!
Dhe tani do’tju rrëfej historinë e dytë. Isha në një
‘tour’ promovimi për një nga librat e mi në Australi, në Adaleide (kryeqyteti i
Australisë jugore). Kisha rreth 700 veta në një sallë teatri. Shumica prej tyre
ishin aktorë dhe artistë. Dhe, sigurisht që, unë isha duke folur për zërin, për
çlirimin e zërit, për zbrazjen e tingullit dhe se duke hedhur fjalë atje në
audiencë ti, aktori, krijon diçka më vete. Dhe, kjo bëhet në rrethin e dytë, të
qenit të pranishëm në moment. Por, për këtë do të flasim më vonë. Por, në një
cep atje tej ishte një burrë i vogël me kostum. Dhe ishte e dukshme që ai nuk
ishte pjesë e pjesës tjetër të audiencës. Dhe, unë fillova të mërzitesha sepse
ai ishte i mërzitur. Dhe, si një qenie njerëzore vanitoze budallaqe të cilën e
kemi të gjithë mendova se, mbase ai s’me ka qejf, që ndoshta është edhe e vërtëtë!
Dhe, a nuk është kjo diçka interesante kur kupton që s’mund t’i bësh të gjithë
njerëzit të të pëlqejnë. Harrojeni fare këtë! Bëni punën tuaj, interpretoni dhe
mos u përpiq t’i bësh njerëzit të të pëlqejnë. Ai – burri i vogël me kostum – qëndronte
i trazuar dhe i shqetësuar - në fund u
mora me nënshkrimin e librave - dhe vura re se ai po rrinte pezull diku atje
dhe mendova: ‘Oh, jo.’ Më duhet ta takoj këtë burrë. Mesa duket kjo është diçka
që duhet ta bëj. Ai priti që njërëzit të largoheshin dhe pastaj u afrua tek unë
dhe pastaj më tha: ‘Nuk më pëlqen teatri.’ Dhe unë i thashë ok. Dhe pastja pati
një boshllëk. Dhe më pas ai vazhdoi: ‘Dikur kam shkuar në teatër me time shoqe.
Nuk na pëlqeu.’ – Dhe, unë duhet të kontrolloja veten që të mos bëja veprime si
të kryqëzoja duart që tregojnë pozicion vetëmbrojtje. Por, në fakt ai nuk dëshironte
të largohej, por dëshironte të ishte aty i pranishëm me mua dhe ndaj unë e
pyeta: ‘Çfarë pe që nuk të pëlqeu?’; Dhe, ai mu përgjigj: ‘oh, ishte për gratë
në Greqi, në Trojë...dhe unë i thashë, ‘ah gratë e Trojës.’ Dhe, ai mu përgjigj:
‘oh, po! Por nuk na pëlqeu.’ Dhe, unë prita dhe më pas e pyeta se përse nuk i
kishte pëlqyer. Dhe ai mu përgjigj: ‘ishte një aktore që nxorri një zë, ajo
humbi djalin e saj; - Dhe unë i thashë:
Andromeka! Ajo humb djalin e saj; - Dhe, ai prapë mu përgjigj: ‘po e di, por
nuk na pëlqeu.’ – Dhe, unë prapë e pyeta përse nuk e kishte pëlqyer. - Dhe, ai
më tha: ‘ajo nxorri një zë dhe kjo ishte shumë e sikletshme.’ Pastaj ai u bë
shumë i heshtur dhe diçka ndryshoi në nivelet e tij të energjisë, e drejtoi vështrimin
për nga dyshemeja, pastaj ngriti kokën dhe më tha: ‘Përpara një viti tek unë
erdhi një polic dhe më tha që vajzën time e kishin përdhunuar dhe vrarë. Dhe, unë
nxorra atë zë!; - Kushdo që të ketë qenë ajo aktore unë e bekoj atë. E bekoj!
Kjo është arsyeja përse merrem me teatër. Sepse nëse luan
të vërtetën dhe je i pranishëm dhe nuk kërkon që të të pëlqejnë - sepse ajo
duhet ta ketë ndjerë që publiku e ka urryer përformancën e saj - por ajo ka
thënë të vërtetën. Dhe, më pas ai më tha: ‘Ajo më tha të vërtetën, por unë nuk
isha rritur mjaftueshëm që ta kuptoja këtë.’ – Kjo është arsyeja përse merrem
me teatër!
***
Patsy Rodenburg është mjeshtre zëri dhe mësuese mbi veprat
e Shekspirit. Ajo mban pozicionin e Drejtuese Zëri pranë shkollës prestigjoze
të muzikës dhe të dramës ‘Guildhall’ në Londër prej 26 vitesh dhe deri së
fundmi edhe pranë Teatrit Kombëtar Mbretëror. Ajo është e mirënjohur
ndërkombëtarisht si mësuesja dhe trajnerja më e mirë e zërit në botë dhe si një
autoritet i famshëm mbi Shekspirin.
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=L9jjhGq8pMM
Përzgjodhi dhe përktheu – Enkeleda Suti





Comments
Post a Comment