PIKTURA “GJAKU I BOTËS”, 1925 NGA RENE MAGRITTE


Nga viti 1925 e më tej Magritte mori dy rrugë, një prej të cilave ai po e ndiqte ende rreth vitit 1930. “Gjaku i Botës” i përket një grupi të cilin ai e braktisi pas vitit 1930 dhe që është qartësisht e ndryshme nga veprat e mbështetura në figura të njohshme, që i përkasin një bote njerëzish dhe objektesh të sjella në marrëdhënie të çuditshme me njëra-tjetrën dhe të vendosura në mjedise të papritura, siç ilustrohet nga piktura “Kalorësi i Humbur”, një temë së cilën Magritte i është rikthyer sërish dhe sërish.

 

Drejtimi tjetër, që u shfaq shkurtimisht pas motivit të “Kalorësit të Humbur”, konsistonte në organizmat e shpikur, vegjetimi dhe format të cilat lidheshin vetëm në mënyrë të tërthortë dhe ambigue me realitetin. Vetëm nëpërmjet asociimeve ne mund t’i afrohemi këtyre peisazheve shtypëse; vizualisht të prekshme dhe të qarta, ato popullohen nga forma të cilat janë të gërshetuara në një mënyrë baroke.

 

“Gjaku i botës” tregon organizma që i ngjajnë këmbëve dhe krahëve të cilave u mungojnë gjymtyrët dhe që janë të qëruara nga lëkura e tyre, si ato në fotografitë e mësimeve anatomike. Format e rrumbullakëta që ato mbulojnë pjesërisht janë edhe më të vështira për t’iu afruar. Historianët e artit mund të gjejnë referenca në format e Arp-it në periudhën e tij Dada, apo ato mund të na kujtojnë Max Ernst-in. Magritte, i cili i realizoi këto piktura shkurtimisht përpara apo gjatë viteve të tij në Paris, nga viti 1927 deri në vitin 1930, pa shumë gjëra në rrethin e Andre Breton atje, por ky fakt nuk na çon në drejtimin e duhur. Format menjëherë pas të ashtuquajturave si këmbë të lëshuara, për shembull, mund të duken si disa faza të formimit të shkëmbijve, me shenja erozioni. Antoni Gaudf, arkitekti spanjoll i Art Nouveau, ka modeluar “rritje” të ngjashme, dhe Dali ishte gjithmonë i magjepsur prej tyre në bregun e Cadaques-it, afër vendlindjes së tij. Magritte u jep atyre ngjyra artificiale këtu – të gjakosura dhe të bardha.  

 

Tek “Gjaku i Botës” ju mund të dalloni djajtë e imagjinatës së Magritte, obsesioni me një nevojë, nxitje të errët lidhur me pjellorinë e cila ka gjithashtu edhe një anë perverse; ajo ishte një mbetje e Ekspresionizmit, prej se cilës ai e çliroi veten rreth vitit 1930. Më pas erdhi qartësimi, qartësia misterioze, për të cilën ai ishte një mjeshtër që në vitin 1926.

 

Burimi: https://www.renemagritte.org/the-blood-of-the-world.jsp

 

Përzgjodhi dhe përktheu – ENKELEDA SUTI.  

 

 

 

Comments