PIERRE-AUGUSTE RENOIR: Një nga themeluesit kryesorë dhe mjeshtrat e Impresionizmit! Loja regëtuese me dritën e diellit...shushurima e butë e flladit...

Nga PRESTIGJOZJA SHËPIA E ANKANDEVE CHRISTIES

 

1. JETA E HERSHME E RENOIR U FORMËSUA NGA VARFËRIA

 

Pierre-Auguste Renoir lindi në vitin 1841 në Limoges, në jug-perëndim të Francës. Babai dhe e ëma e tij ishin të dy rrobaqepës, që është ndoshta e rëndësishme duke qenë se ai ishte i magjepsur pas modës.  

 

Në jetën e tij të hershme ai vlerësohej më shumë për aftësitë e tij në këndim sesa në vizatim. Ai kishte marrë leksione muzike deri në çastin kur familja e tij u përball me vështirësi financiare, që e detyroi të largohej nga shkolla dhe të fillonte të punonte si piktor në një fabrikë porcelani.      

 

Si një djalë i ri Renoir u vendos në Paris, hyri në Shkollën e Arteve të Bukura dhe më vonë u bashkua me studion e Charles Gleyre (1806-1874). Megjithëse, shumë shpesh ai nuk kishte mjaftueshëm para për të blerë bojë, ai jetoi afër Luvrit, ku atij i pëlqente të studionte veprat e Mjeshtrave të Vjetër.

 

2. AI ISHTE NJË NGA THEMELUESIT KRYESORË TË IMPRESIONIZMIT         

 

Në vitin 1869, Renoir filloi skicimin afër ujit tek La Grenouillère, jashtë Parisit, me Claude Monet. Kjo ishte një lëvizje kyçe në historinë e artit, duke qenë se të dy burrat zhvilluan në mënyrë të njëpasnjëshme disa teori, teknika dhe praktika të cilat do të çonin në lindjen e Impresionizmit, duke përfshirë përdorimin e penelatave të çlirshme për të kapur efektet e dritës dhe të lëvizjes mbi pemë dhe ujë gjatë kohëve të ndryshme të ditës.

 

Piktura e djallëzuar “Sentier dans le bois” e Renoir, e pikturuar në vitin 1874, është thelbësisht Impresioniste, duke u fokusuar mbi sensacionet fluturake të artistit përpara natyrës. Indi vibrues i penelatave të thyera, një shkëputje revolucionare nga normat e Sallonit (të asaj kohe), evokon lojën regëtuese të dritës së diellit, si edhe shushurimën e butë të flladit.

 

Në pikturën “L’ombrelle”, e pikturuar në vitin 1878, Renoir paraqet subjektin impresionist kyç të veshjes së modës pariziane brenda një skene natyre të mbushur me lule. Piktura mishëron idealin e artistit në integrimin harmonioz të figurës në një mjedis të jashtëm, dhe kapjen e efekteve të dritës dhe të hijes në një gamë ngjyrash magjepsëse.

 

3. VEPRA IMPRESIONISTE E RENOIR U REFUZUA NGA SALLONI

 

Me raste gjatë viteve 1860, Renoir dorëzoi piktura që u pranuan në ekspozitat e Sallonit të famshëm, sic kishte bërë edhe Monet. Por teksa eksperimentet e tyre piktoriale po fitonin famë me shpejtësi në vitin 1870, të dy artistët u përballën me refuzimin e përsëritur të veprave të tyre.  

 

Në fund, ata rreshtën së dorëzuari piktura për shqyrtim tek Salloni dhe kur Monet filloi shoqërinë e tij të pavarur artistike, që u bë e njohur si Impresionistët, Renoir ishte një nga të parët që u bashkua me të. Ai ekspozoi gjashtë piktura në Ekspozitën e Parë Impresioniste në prill të vitit 1874.   

 

Renoir pikturoi firgurat e fustaneve të modës, duke i pozicionuar modelet e tij në mjedise moderne: bulevarde të populluara, kafene, teatro, parqe të lara në diell, dhe mjedise të brendshme shtëpiake elegante.

 

Disa prej veprave të tij më të fashme nga kjo periudhë përfshijnë pikturën “Dance at the Moulin de la Galette” (Musée d’Orsay, Paris) dhe “La Loge” (Galeria Courtauld, Londër).

 

Jeanne Samary (më poshtë) ka qenë një nga aktoret më të vlerësuara në Paris kur ajo pozoi për herë të parë për Renoir në vitin 1877. Ndërmjet viteve 1877 dhe 1880, Renoir e paraqiti Samary-n në jo më pak sesa tetë piktura në vaj dhe katër në pastel, më shumë sesa çdo pozuese tjetër.  

 

4. RENOIR U BASHKUA ME ELITËN PARIZIANE, NGA SHKRIMTARËT, TEK PRONARËT E RESTORANTEVE DERI TEK BANKIERËT

 

Aftësia e Renoir për të kapur turmën tërhoqi vëmendjen e elitës pariziane. Shumë shpejt lista e tij e patronëve përfshiu figura të tilla të nderuara si pastiçierin, pronarin e restoranteve dhe koleksionistët Eugène Murer, dhe Madame Georges Charpentier, sallonët e të cilëve ndiqeshin nga të shumtët si Flaubert, Zola dhe Manet.

 

Në vitin 1878, në shtëpinë e Charpentier, Renoir u takua me bankierin Paul Bérard. Renoir vizitoi rregullisht shtëpinë e fshatit të Bérard-it në Wargemont ku ai eksperimentoi me peisazhet detare dhe natyrat e qeta, si edhe pikturimin e portreteve të fëmijëve të Bérard.

 

5. UDHËTIMI I TIJ JASHTË VENDIT NDËRMJET 1881-1882 ISHTE NJË ÇAST VENDIMTAR

 

Gjatë viteve 1870 Renoir kishte pikturuar disa skena orientaliste ambicioze, duke përfshirë një transpozim deri diku të rrezikshëm të kryeveprës së Delacroix, piktura “Les femmes d’Alger”. Në vitin 1881 ai ndoqi hapat e Delacroix-it duke udhëtuar në Algjeri dhe duke u kthyer në një nga Impresionistët e vetëm që kishte përvojë të dorës së parë të rajonit.   

 

Nga Algjeria ai udhëtoi në Madrid për të studiuar pikturat e Velázquez-it, përpara se të shkonte në Itali ku ai realizoi një ambicie afatgjatë duke parë kryeveprat nga Rafaeli, Ticiani dhe mjeshtra e tjerë të Rilindjes. Ai studioi gjithashtu freskot antike të Pompeii-t, dhe udhëtoi në Siçili, ku vizitoi Richard Wagner, dhe pikturoi portretin e kompozitorit vetëm në 35 minuta. Ishte gjatë këtij udhëtimi kur ai filoi të kërkonte atë që ai e quante ‘harmoni të gjëra pa shqetësuar vetveten me detajet e vogla që zvogëlonin dritën e diellit’.

 

Renoir u rikthye në Francë një njeri të ndryshuar, duke adoptuar një stil klasik linear të influencuar nga vepra e Ingres dhe Boucher, duke punuar më shumë në një studio sesa në ajër të hapur, dhe duke u fokusuar gjithnjë edhe më shumë tek mitologjia dhe format femërore.

 

6. RENOIR U LARGUA NGA IMPRESIONIZMI, POR REAGIMI KRITIK ISHTE PASIV

 

‘Unë e kam shtrydhur impresionizmin deri në shterrim,’ i ka thënë Renoir Ambroise Vollard vonë në jetën e tij. ‘Më në fund arrita në përfundimin se nuk dija as të pikturoja dhe as të vizatoja.’ Ky kuptim shënoi një periudhë tre vjeçare pyetjesh dhe eksperimentimi të thellë, gjatë se cilës Renoir riprezantoi nocionet tradicionale të mjeshtërisë së artit të tij.

Ai braktisi skenat e jetës moderne, pranoi shumë pak porosi portretesh, dhe la të papërfunduara shumë studime figurash të vogla. Megjithëse, ai vazhdoi të prodhonte peisazhe dhe natyra të qeta, vëmendja e tij u fokusua tek një sëri pikturash të figurave kryesore, ku ai konsolidoi stilin e tij të ri, linear.   

 

Renoir kishte shpresa të mëdha për pikturën monumentale, për të cilën ai kishte punuar tre vjet, dhe i tregoi Bérard se objektivi i tij ishte të ‘mundte Rafaelin’. Megjithatë, kur piktura u ekspozua në maj në Galerinë Georges Petit, reagimi kritik ishte i përzier.

 

7. RENOIR KISHTE TRE DJEM, DUKE PËRFSHIRË KINEASTIN JEAN RENOIR

 

Në fillim të vitit 1888, Renoir ndryshoi edhe një herë drejtimin e tij, duke i thënë tregtarit të artit të tij, Paul Durand-Ruel, se kam rifilluar sërish, për të mos ta braktisur më kurrë, stilin tim të vjetër, me prekje të butë dhe të lehtë.’ Nga vitet 1890, ai theksoi ngjyrën dhe sensualitetin në pikturat e tij të plazhisteve femra, skenave familjare, jetëve idilike të vajzave të bukura të borgjezisë.

 

Në vitin 1890, Renoi u martua me Aline Victorine Charigot, një modele për një nga figurat në pikturën “Dreka zyrtare në Festën në Varkë” (1880-81). Ajo ishte 20 vjet më e re sesa ai dhe i dha atij tre djem - Pierre (1885-1952), i cili u bë një aktor; Jean (1894-1979), i cili do të bëhej një nga kineastët më të mëdhenj të Francës; dhe Claude (1901-1969), i cili gjithashtu ka punuar në industrinë e filmit përpara se të bëhej një artist qeramike. Jean dhe Claude u përdorën nga i ati i tyre si modele qën në moshë të re, me pozimin e djemve të rinj për 90 vepra.

 

8. GABRIELLE RENARD, DADOJA E FËMIJËS MË TË VOGËL TË RENOIR, U KTHYE NË MUZËN DHE ASISTENTEN E STUDIOS SË TIJ

 

Gabrielle Renard, një kushërirë e largët e bashkëshortes së Renoir-it, iu bashkua familjes në vitin 1894 si guvernante për djalin e vogël të çiftit, Jean. Shumë shpejt ajo u kthye në një anëtare të paçmuar të familjes, si edhe si modelja e preferuar e artistit.  

 

Përmbi dy dekada Renoir e pikturoi Renard duke lexuar, duke qepur, apo duke u kujdesur për fëmijët, si një rrobalarëse në fshatin francez, dhe si një perëndeshë tek “Gjykimi i Parisit”. Ajo u portretizua shpesh si një objekt dëshire erotike. Më vonë, teksa Renoir punonte në studio, Renard u soll si ndihmësja e tij.

 

Ndërmjet vitit 1907 dhe 1911, Renoir pikturoi disa telajo të Renard të veshur lirshëm në një këmishë të bardhë transparente që derdhet e hapur për të treguar format e saj të bollshme.

 

9. HENRI MATISSE E VIZITONTE RENOIR SHPESH  

 

Nga viti 1907 Renoir, i cili vuante nga artriti reumatoid, dimrin e kalonte në Cagnes-sur-Mer në Rivierën Franceze, dhe verën në një fshat në rajonin e Champagne. Ai u takua për herë të parë me Henri Matisse në fund të vitit 1917, dhe djali i ri u kthye në një vizitor të shpeshtë në Cagnes deri në vdekjen e Renoir dy vite më pas.

 

Matisse e ka përshkruar pikturën “Les baigneuses”, e pikturuar ndërmjet viteve 1918-19 (Musée d’Orsay, Paris), si ‘nudot më të dashura të pikturuara ndonjëherë’, dhe u influencua shumë nga maskaradat e studios së Renoir-it, e cila ishte frymëzuar nga Delacroix dhe Orientalizmi.

Kur Matisse filloi vetën serinë e tij të odaliskave në vitin 1919, ai ndoqi shembullin e Renoir duke pozuar modelet e tij të preferuara në mjedise intime të studios së tij.

 

10. RENOIR ISHTE GJALLË KUR VEPRA E TIJ U VAR NË MUZEUN E LUVRIT

 

Gjatë jetës së tij Renoir pikturoi disa mijëra piktura. Megjithëse, ai pati një sukses tregtar të shpejtë, ai ishte kryesisht i udhëhequr nga gëzimi që pikturimi i sillte atij. Njëherë ai i kishte thënë mësuesit të tij, Gleyre, ‘Nëse piktura nuk do të ishte një kënaqësi për mua, me shumë siguri që nuk do të merresha me pikturë’.

 

Pak kohë përpara vdekjes së tij në vitin 1919, ai vizitoi Muzeun e Luvrit, ku tani vepra e tij ishte e varur krahë Mjeshtrave të Vjetër që ai i kishte adhuruar për kaq shumë kohë.

 

(Imazh 1: Pierre-Auguste Renoir).

 

(Imazhi 2: Pierre-Auguste Renoir, Sentier dans le bois, 1874-77).

 

(Imazhi 3: Pierre-Auguste Renoir, L’ombrelle, 1878).

 

(Imazhi 4: Pierre-Auguste Renoir, Au Théâtre, la loge, 1894).

 

(Imazhi 5: Pierre-Auguste Renoir, Portret i Jeanne Samary, ekzekutuar rreth 1879-1880).

 

(Imazhi 6: Pierre-Auguste Renoir, Nature morte aux pommes et à poire, rreth 1889).

 

(Imazhi 7: Pierre-Auguste Renoir, Jeunes filles jouant au volant, pikturuar rreth 1887).

 

(Imazhi 8: Pierre-Auguste Renoir, Coco au ruban rose, 1905).

 

(Imazhi 9: Pierre-Auguste Renoir, Les deux soeurs, pikturuar rreth 1890-1895).

 

(Imazhi 10: Pierre-Auguste Renoir, Femme nue couchée, Gabrielle, 1903).

 

(Imazhi 11: Pierre-Auguste Renoir, Gabrielle au miroir, pikturuar rreth 1910).











 

Burimi: https://www.christies.com/features/10-things-to-know-about-Renoir-9643-1.aspx

 

Përzgjodhi dhe përktheu – ENKELEDA SUTI.

 

 

Comments