Mbi poezinë - Nga Wallace Stevens


Mbi poezinë
Nga Wallace Stevens
- Imagjinata është romantiku.
- Romantiku është faza e parë (jo-pezhorative) e marrëzisë.
- Poeti është Zot, apo më mirë, poeti i ri është Zot. Poeti plak është endacak.
- Të japë ndjesinë e freskisë dhe të gjallërisë së jetës është një nga qëllimet e vyera të poezisë.
- Poezia është një trajtë e melankolisë.
- Poezia nuk është vetjake.
- Poezia është një mënyrë shëlbimi.
- Realja është vetëm themeli, por ama është themeli.
- Poezia ia përshfaq vetveten vetëm të paditurit.
- Në një masë të madhe, problemet e poetëve janë dhe probeme të piktorëve, ndaj poetët duhet t’i drejtohen shpesh literaturës së pikturës për të shqyrtuar problemet e veta.
- E gjithë poezia është poezi eksperimentale.
- Në poezi duhet të duash fjalët, idetë, shëmbëlltyrat dhe ritmet më tërë fuqinë tënde.
- Poezia duhet të jetë irracionale.
- Mendja s’është asgjë në jetë, veç asaj që mendojmë për të.
- Ndërsa arsyeja shkatërron, poeti duhet të krijojë.
- Nuk ndodh përditë që bota ta ujdisë veten në një poezi.
- S’ka gjë më të bukur në jetë, veç jetës.
Dije:
- Se e gjithë bota është lëndë për poezinë.
- Se nuk ekziston ndonjë lëndë e posaçme poetike.
- Sentimentalizmi është dështim i ndjenjës.
- Vera dhe muzika nuk bëjnë mirë deri në mesditë. Ndërsa poezia është si lutja, në kuptimin qëështë më e efektshme në vetmi dhe në kohët e vetmisë, si, për shembull, në mëngjes herët.
- Poezia është arti i të diturit.
- Detyra e poetit është të studiojë dhe të kuptojë botën e trilluar.
- Çdo poet duhet të ketë diç prej fshatari.
- Poeti është prift i së padukshmes.
- Romantizmi është për poezinë si dekoracioni për pikturën.
- Kemi bërë shumë në jetë. Ditari i jetës rrallëështë ditar lumturie.
- Poezia duhet t’i bëjë qëndresë thuajse me sukses inteligjencës.
(Shkëputur nga Revista Letrare, HELICON Nr. 2, maj 2014, përkthyer nga Azem Qazimi)

Comments