FAUVIZMI - Takohuni me “bishat e egra” të botës së artit të fillimshekullit të 20-të


FAUVIZMI

Takohuni me “bishat e egra” të botës së artit të fillimshekullit të 20-të.

 

Nga MoMA Learning

(Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut)

 

Henri Matisse dhe André Derain studiuan me të njëjtët mësues, ndanë miqësinë me artistë të tjerë, udhëtuan së bashku, dhe ndonjëherë punuan në të njëjtën studio. Të dy admironin dhe koleksiononin skulpturat afrikane – veçanërisht Matisse, i cili udhëtoi në Afrikën e Veriut në vitin 1906 – influenca artistike e të cilave mund të shihet në trajtimin e stilizuar të secilit piktor të figurës njerëzore, sheshtësisë piktoreske dhe formave dhe planeve të fragmentarizuara. Për të realizuar pikturat e tyre, ata aplikuan penelata të trasha ngjyrash vibruese, shpesh të pa përziera nga tuba boje. Këto ngjyra nuk korrespondonin me mënyën se si dukeshin gjërat në jetën reale. “Zgjedhja ime e ngjyrave nuk mbështetet tek asnjë teori artistike,” ka thënë Matisse. “Ajo bazohet tek vëzhgimi, ndjenja, mbi vetë natyrën e çdo përvoje.”

 

Në vitin 1905, Matisse dhe Derain ekspozuan së bashku në Salon d’Automne (Sallonin e Vjeshtës) dhe veprat e tyre shkaktuan një skandal. Shikuesit dhe kritikët u shokuan nga përdorimi i ngjyrave të ndezura, jo natyraliste në peisazhet dhe portretet e tyre. Një kritik arti shkoi aq larg sa i quajti artistët “fauves” apo “bisha të egra”, dhe kjo etiketë mbeti. Prej asaj kohe, termi Fauvizëm është aplikuar për veprat e Matisse, Derain dhe një bande të vogël piktorësh të fillimshekullit të 20-të, të cilët përdornin në mënyrë të ngjashme ngjyrat e aplikuara në plane dhe me penelata të gjera.

 

Burimi: https://www.moma.org/learn/moma_learning/themes/fauvism/

 

Copyright i përkthimit www.enkeledasuti.com

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti. 

 

 

Comments