FOTOGRAFIA KONCEPTUALE - Fotografia konceptuale është fotografi që ilustron një ide

FOTOGRAFIA KONCEPTUALE

Fotografia konceptuale është fotografi që ilustron një ide

 

Nga Galeria TATE (Londër)  

 

Që prej shpikjes së aparatit fotografik, artistët e kanë eksploruar atë si një mjet për inskenimin e një realiteti falls, apo për të kapur një ide. Kjo mund të shihet tek një nga fotografitë e para të inskenuara, “Autoportreti i një Njeriu të Mbytur” nga Hippolyte Bayard, 1840.

 

Megjithatë, termi ‘fotografi konceptuale’ ka filluar të përdoret në vitet 1960, duke përkuar me eksplorimet e hershme të video artit dhe Artit Konceptual. Kjo frazë mund t’i referohet çdo përdorimi të fotografisë brenda lëvizjes së Artit Konceptual.

 

Zhvillimi i fotografisë konceptuale

Duke përdorur kameran, artistët si Richard Long dhe Dennis Oppenheim filluan regjistrimin e performancave të tyre dhe të veprave të përkohshme të artit në një mënyrë që tani shpesh përshkruhet si (deadpan) e palëvizshme. Qëllimi ishte për të bërë imazhe të thjeshta, realiste veprash arti të cilat do të dukeshin sa më shumë dokumentare që të ishte e mundur.

 

Artistët e adoptuan këtë qasje që në fillim të shekullit të 20-të kur Alfred Stieglitz fotografoi të gatshmen (readymade) të Marcel Duchamp e bërë nga një pishuar, Ujëvara, për një ekspozitë në Nju Jork. Ujëvara origjinale ka humbur, por fotografitë nga Stieglitz mbeten dhe janë kthyer vetë në vepra arti.

 

Të tjerë kanë eksploruar fotografinë konceptuale si një mjet për të inskenuar një ide. Diçka e tillë shihet shpesh tek reklamat, ku imazhet përdoren për të paraqitur një koncept të qartë, shpesh duke përdorur aktorë apo ‘props’.

 

Fotografia konceptuale është zgjeruar duke përfshirë artistë të tillë si Cindy ShermanJohn Hilliard and Broomberg dhe Chanarin. Për ta ky medium është shumë më eksperimental, duke marrë elementë të dokumentimit apo inskenimit, por duke i ri-interpretuar ato në mënyra të reja.  

 

Gama e fotografisë e përfshirë nën këtë titull është diversifikuar shumë me disponueshmërinë tani të programit kompjuterik të editimit të fotografive të tilla si ‘Adobe Photoshop’. Kjo lejon këdo me një kompjuter të krijojë një imazh që është më shumë se një përfaqësim direkt i asaj që ndodhet përpara lenteve.

 

Në mënyrë të ngjashme, platforma të tilla si Instagram dhe Flikr kanë lejuar çdo përdorues celulari të ndajë fotografitë e tyre dhe të krijojnë portofole të plota veprash. Amalia Ulman është një nga shembujt e një prej këtyre fotografëve; duke përdorur Instagram-in për të krijuar një narrativë të tërë rreth një identiteti të trilluar.

 

Fotografia: Tim Lee, Me kokë poshtë, Dhoma e Torturës me Ujë, Harry Houdini, 1913 (2004)

 

Burimi: https://www.tate.org.uk/art/art-terms/c/conceptual-photography

 

Copyright i përkthimit www.enkeledasuti.com

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti.

Comments